Dhurata e Serbisë
Botuar fillimisht më 29 shtator 2018
Kur pas 10 vjetësh rrethimi dhe lufte kundër Trojës, grekët e lashtë lanë pas kalin e drunjtë si dhuratë, një prift trojan i quajtur Laokont thuhet ti ketë këshilluar të vetët ‘digjeni kalin sepse ua kam frikën grekeve edhe kur sjellin dhurata’. Trojanët e lodhur nga lufta e injoruan dhe e quajtën kalin dhuratë nga perënditë. Menduan se grekët ishin tërhequr dhe e futën brënda mureve të qytetit. Në mes të natës, ushtarë grekë të fshehur brenda kalit, hapën dyert e kalasë dhe ushtria greke shkatërroi e shfarrosi Trojën e lashtë. Tre mijë vjet më pas, kali i Trojës ende është simbol i triumfit të dinakërisë e pabesisë dhe paralajmërimi laokontian duhet dëgjuar mirë sot në Kosovë dhe ajo duhet të ketë kujdes nga dhurata serbe e shkëmbimit të territoreve.
Ishte pritshme që publikimi i idesë së rishikimit të kufirit mes Serbisë dhe Kosovës si një zgjidhje konflikti, do të shkaktonte debate të shumta në rajon dhe më gjërë. SHBA-të dhe BE-ja, me përjashtim të Gjermanisë, po e përkrahin idenë e farkëtuar në Beograd, por që për çudi është përkrahur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ndërkohë, reagimet në rajon kanë qënë kryesisht negative për shkak të frikës se ndryshimi i kufijve do të shkaktonte një fenomen domino me pasoja për gjithë Ballkanin.
Ato pak artikuj të botuar për këtë temë në shtypin perëndimor e vënë fokusin në pasojat për paqen rajonale dhe akoma më pak vëmendje i kushtohet pasojave shqiptare. Ndërkohë, në Kosovë idea e negocimit të ndryshimit të kufijve, pavarësisht eufemizmave diplomatike të zotit Thaçi, ka shkaktuar tronditje e panik dhe opozita ka vënë në rend të ditës diskutimin e një rezolute për të ritheksuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Shumë zëra kanë vënë të pikëpyetje nëse Presidenti Thaçi ka të drejtë apo tagër për të diskutuar ndryshimin e kufijve me Serbinë.
Idea e shkëmbimit të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës nuk është e re. Ajo ka vite që është parashtruar nga Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç si një zgjidhje e konfliktit Serbi-Kosovë dhe që do ti hapte Serbisë rrugën drejt integrimit Europian. Beogradi po ashtu shpreson se pranimi dhe zbatimi i idesë do të krijonte një precedent në të ardhmen për një marrëveshje të ngjashme për Republikën Serbska. Përfitimet e Serbisë janë të qarta, ato të Kosovës shumë të debatueshme.
Përkrahësit e idesë në shtypin perëndimor theksojnë se marrëveshja e kompenson Kosovën territorialisht dhe i hap asaj rrugën e anëtarsimit në OKB dhe BE. Por heqja e kundërshtimit serb për anëtarsim të Kosovës në këto oragnizata nuk është garanci automatike anëtarsimi dhe ajo nënkupton mbështetje të Rusisë dhe Kinës për ulësen ne OKB dhe njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së. Kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës nga këto vende është bërë më shumë për arsye të politkavë të tyre të brendshme sesa të solidaritetit me Serbinë. Edhe shkëmbimi i territoreve nuk është i barabartë. Me humbjen e veriut, Kosova do të humbte dy nga burimet më të mëdha natyrore, minierën e Trepçes, dhe rezervuarin e Gazivodës. Në shkëmbin do të merrte fshatra gjysëm të boshatisur. Atëhere, pse është kaq entusiazt Presidenti Thaçi për këtë ide të Ivica Daçiçit?
Ndoshta, ashtu si trojanët e lashtë, Thaçi është lodhur tashmë nga ‘konflikti i ngrirë’, siç e quajti ai përplasjen me Beogradin. Nëse është kështu, atëhere e ka mundësinë të mënjanohet e të çlodhet duke i hapur rrugën dikujt tjetër. Nuk ka pse të tundohet nga rruga më e shkurtër me plot të panjohura e pengesa. Kosova tashmë e ka një plan për veriun e Kosovës, krijimin e Asociasionit te Komunave të Veriut, sipas ligjeve të Kosovës. Hashim Thaçi duhet të dëgjojë këshillat që vinë nga Berlini dhe jo kasandrat e Beogradit apo politkanët mediokër të Brukselit që marrin vendime për popujt e tjerë kur s’kanë tagër e as këllqe për të influencuar as politikat e vendeve të tyre.
Erat nativiste që fryjnë në Uashington janë një anomali dhe jo tregues i politikës afatgjatë amerikane në Ballkan. John Bollton dhe Jared Kushner, që janë përkrahësit e idesë serbë, as nuk i kanë njohuritë e as dëshirën për të gjetur zgjidhje afatgjatë për Kosovën. Nëse Thaçi është vërtetë ‘gjarpër’, ai duhet të dijë si ti shtyjë bisedimet derisa të ndfryshojnë erërat në Uashington, sepse nuk do ti duhet të presë aq sa pritën serbët.
Ivica Daçiçi dhe shefi i tij Presidenti Vuçiç flasin për njohje të realitetit dhe për një politkë realiste. Qëndrimi serb ndaj Kosovës dhe ndaj botës nuk ka ndryshuar, është kjo e fundit që ka lëvizur. Por, kur të vegjlit tundohen nga idea e marrjes së vendimeve realiste, ata duhet të mbajnë mend edhe një mësim tjetër nga lashtësia. ‘E drejta, thotë babai i historisë, Tuqididi, është një çështje që trajtohet vetëm mes të barabartëve, përndryshe i forti bën atë që mundet dhe i dobëti vuan pasojat’.